Pa votat e këshilltarëve të PS, Këshilli Bashkiak Lezhë ka miratuar buxhetin e vitit 2019, buxhet i cili është 1 mld e 800 mln lekë. Në mbledhje pati një serë diskutimesh, ndërsa Bashkia Lezhë bëri me dije se nuk ka asnjë rritje të taksave apo tarifave vendore por reduktim të çdo takse dhe tarife në masën 15-25%, ndërsa taksa e banesës sipas VKM do të paguhet në faturën e ujit të pijshëm. Edhe këtu këshilli bashkiak miratoi propozimin e bashkisë për pagesën e kësaj tarife në minimumin e masës së saj, bazuar në hapësirat që jep ligji. Kryetari i Këshillit Kristian Gjidoda tha në fillim të mbledhjes se buxheti i bashkisë është buxheti i qytetarëve, ndaj duhet parë me çdo detaj në mënyrë që t’u jepet zgjidhje problemeve më shqetësuese, ndërsa u ndal te taksa e banesës. Buxheti i Bashkisë Lezhë këtë vit i dedikohet mbi të gjitha infrastrukturës, ku janë parashikuar ndërhyrje thuajse në të gjitha rrugët dhe lagjet e qytetit, ndërhyrje në shkolla, ku buxheti për arsimin ka një rritje të konsiderueshme, sistemimin e qendrave të njësive administrative, ndërhyrje në kullimin e tokave, në ujësjellësat, terrene sportive etj. Buxheti po ashtu ka të parashikuar likujdimin prej një miliardë lekësh, borxhe këto të trashëguara nga ish komunat dhe bashkia përpara reformës territoriale si dhe nga detyrimet përmbarimore dhe shpronësimet. Nënkryetarja e Bashkisë Lezhë Alfrida Marku tha në fund të mbledhjes se sot,fitoi e drejta e lezhjanëve dhe interesi qytetar, duke e cilësuar buxhetin të kompletuar, ndërsa vendimmarrjen e këshillit si detyrë qytetare dhe ligjore. Në këtë kontekst Marku nuk la pa thumbuar mungesën e këshilltarëve të PS kur tha se miratimi i buxhetit të bashkisë nga këshilli, nuk duhet të përdoret për përfitim politik. Këshilli Bashkiak i Lezhës ka 41 anëtarë ndërsa në mbledhje për buxhetin morën pjesë 29 këshilltarë ku bashkimi i votavë të PD dhe partive të tjera të opozitës mundësuan miratimin e buxhetit. Ky buxhet parashikon një serë investimesh publike në shërbim të qytetarëve, të parashikuar në çdo njësi administrative. Viti 2019 do të shoqërohet me implementimin e 69 projekteve të Bashkisë Lezhë, ku investimet më të mëdha do të jenë në përmirësimin e infrastrukturës. Brenda pak javësh Bashkia Lezhë do të nisë punën për sistemimin e lagjeve Besëlidhja, Nënë Tereza, rrugës ‘Hydajet Lezha’, rrugës ‘Faik Konica’, rrugës ‘Çamëria’ pranë Bordit të Kullimit, ‘Princat e Kuvendit’ pranë lagjes Gurra, sistemimin e lagjes së spitalit, ndërhyrje në lagjen Skënderbeg, rikonstruksionin e rrugëvë në brendësi të qytetit etj. Buxheti i vitit 2019 është buxheti i banorëve të Lezhës, ku të ardhurat e bashkisë janë më të larta për shkak të të ardhurave nga ndertimet, të cilat për tre vite ishin të bllokuara duke shkaktuar një dëm të buxhetit të parashikuar me rreth nëntë milion euro, tre milion euro më pak në vit, për pasojë duke cunguar edhe investimet e parashikuara për tre vitet e kaluara.
Investimet do të prekin çdo njësi administrative, ku është parashikuar sistemimi i qendrave të zonave dhe ndërhyrje në sistemin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza.
Bashkia Lezhë ashtu si çdo vit tjetër ka mundësuar uljen e taksave dhe tarifave vendore duke marrë parasysh edhe situatën ekonomike dhe sociale të banorëve të Lezhës. Me propozim të kryetarit të Bashkisë Lezhë z.Fran Frrokaj tarifat dhe taksat vendore janë ulur nga 15-25%.
Buxheti po ashtu ka të parashikuar likujdimin e një miliardë lekëve borxhe të trashëguara nga ish komunat dhe bashkia përpara reformës territoriale si dhe nga detyrimet përmbarimore apo shpronësimet. Kryetari i Këshillit të Bashkisë z.Kristian Gjidoda, tha para këshilltarëve të pranishëm në mbledhje,se miratimi i buxhetit të shihet më përpikmëri përpara se të hidhej në votim, votim i cili pas diskutimeve ka marrë votë unanime.
Në buxhetin e Bashkisë Lezhë të këtij viti,një të zë të rëndësishëm parashikon investimet në arsim, ku shkolla, kopshte, çerdhe dhe ambjente sportive do t’i nënshtrohen rikonstruksionit.
Turizmi, kultura dhe sporti,janë sektorë të tjerë që në zërin buxhetor kanë rritje.
Sa i takon bujqësisë, vëmendja kryesore do të jetë sërish në kullimin e tokave. Ashtu si dhe në tre vitet e shkuara puna do të vazhdojë intensivisht në hapjen e plotë të kanaleve kulluese të dyta dhe të treta. Përparësi do të kenë zonat me rrisk më të lartë përmbytjeje. Në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë pati edhe diskutime për ndryshim të disa zërave apo çështje të prioriteteve të cilat u miratuan.
Zv.kryetarja e Bashkisë Lezhë znj.Alfrida Marku përshendeti vendimmarrjen e këshillit duke e cilësuar sa detyre ligjore aq edhe detyrim ndaj qytetarëve. Marku garantoi për zbatimin me efikasitet të plotë të buxhetit të miratuar, ndersa shtoi se primare janë detyrimet ndaj lezhjanëve dhe se interesi politik është në plan të dytë në të tilla çeshtje. Në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë morën pjesë 29 këshilltarë nga 41 anëtarë që ka këshilli bashkiak.
Rrok Lelçaj Lezhë, 28.01.2019