Mjeshtër i publicistikës, reportazhit dhe i fjalës poetike, studiuesi Ndue Dedaj promovoi në Lezhë botimin e tij të radhës “Skënderbeu Bashkëkohës”- një rrugëtim i brishtë ky i shqiptarit të sotëm në truallin që ka shkelur, si një përpjekje personale për ta njohur më mirë historinë e tij në dheun që e lindi.
Qëmtimet e ketij udhëtimi, të autorit Dedaj, nëpër Shqipërinë e Skënderbeut, vijnë të imëta, freskët dhe zhdërvjelltë në libër, bashkë me dijen e sistemuar mirë, stilin e skalitur të publicistit dhe emocionet e ecjes mbi kohë dhe truall historik. Ky libër, u shprehën lexuesit, krijuesit dhe botuesit e Lezhës, anon më shumë nga publicistika dhe është i një lloji të veçantë pasi nuk merret posaçërisht me historinë e Skënderbeut, origjinën e tij, por me gjurmët e heroit nëpër trevat shqipfolëse. Autori Ndue Dedaj shprehet se përmes këtij libri vetë ai ka dashur të mësojë më shumë për heroin tonë kombëtar, e njëherësh që të nxisë ata që vijnë për t’i njohur nga afër “adresat” e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në hapësirën reale dhe virtuale, historike dhe etnologjike shqiptare, pse jo dhe përmes turizmit historik. Kopertina e librit ka linjat dhe dritë-hijet e piktorit Pashk Përvathi, me një Skënderbe të portretizuar posaçshëm për këtë botim, nga artisti që ngjyrën e ka poezi.
Përgatiti Rrok Lelçaj Lezhë, 17.01.2019