Është përkujtuar në Lezhë 551- vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit -Skendërbeut. Me këtë rast në memorialin që ruan vendvarrimin e heroit, drejtues të pushtetit vendor dhe institucioneve, përfaqësues të partive politike e besimeve fetare, nxënës shkollash, qytetarë të Lezhës, bënë homazhe e vendosën kurora e tufa me lule. Memorialin e heroit ky përvjetor e gjen plotësisht të restauruar. Përgjegjësi i trashëgimisë kulturore pranë Bashkisë Lezhë Paulin Zefi, evidentoi punën e bërë në rikualifikimin e këtij memoriali, ku janë ruajtur të gjitha detajet e tij arkitekturore tradicionale.
Zv.kryetarja e Bashkisë Lezhë Alfrida Marku, në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se, kjo ditë shënon përmbylljen e një prej periudhave më të shndritshme të historisë sonë, kur shqipëria iu imponua europës si mbrojtëse e qytetërimit dhe civilizimit të saj dhe Gjergj Kastrioti hyri në historinë e mesjetës si një ndër gjeneralët më të mëdhenj të epokës se vet si strateg i luftës dhe profet i paqes.
Sot Lezha, vijoi ajo, përkujton një datë historike që ruhet në memorien e gjithë shqiptarëve,jo thjesht si një datë kur heroi mbylli sytë, por si një përjetësim i veprës madhështore të tij, si një trashëgimi e vyer e trimërisë dhe urtësisë, vlera këto që na bëjnë të ndihemi krenarë që jemi trashëgimtarë të Gjergj Kastriotit, njeriut simbol të bashkimit të kombit që mundësoi arritjen e konsensusit të princave hatërmbetës,duke u bërë baza e themelit të shtetit. Mbetet dëshmi e pakontestueshme lidhja historike e Gjergj Kastriotit me Lezhën dhe Besëlidhjen e saj. Si luftëtar i lirisë, diplomat, burrë i madh shteti dhe mit i pavdekshëm në memorien e të gjithë shqiptarëve, Skënderbeu mbetet epokal.
Zv.kryetarja përcolli dhe mesazhin e Papa Françeskut para një delegacioni shqiptar nëntorin e vitit te kaluar në Vatikan, ku shqipëria dhe shqiptarët kërkojnë një zhvillim të balancuar me qëllim që brezat e rinj të mos zgjedhin rrugët e emigracionit. Ajo evidentoi faktin se 2 marsin e këtij viti, që përkon me 575-vjetorin e Kuvendit të Lezhes, në sheshin me të njëjtin emër, do të vendoset shtatorja e Gjergj Kastriotit Skenderbeut dhe njëherësh ftoi autoritetet e pushtetit qëndror që 2-marsin ta shpallin festë kombëtare.
Në këtë përvjetor të vdekjes së heroit, përshëndeti dhe prefekti i Lezhës Gjergj Prendi, i cili theksoi se Gjergj Kastrioti-Skenderbeu u bë mburojë e pakapërcyeshme e pushtimit të perandorisë turke.
Duke ngritur lart figurën e Skënderbeut, përcolli mesazhin e tij të paqes, bashkëjetesës vëllazërore dhe dashurisë për atdheun arqipeshkvi i Shkodër-Pult monsinjor Anxhelo Masafra.
Veprimtaritë e kësaj dite të organizuara nga Bashkia Lezhë u mbyllën me një koncert muziko-letrar të përgatitur nga grupet artistike të pallatit të kulturës ku këngët, recitimet e krijimet e tjera letrare i bënin jehonë figurës së ndritur të kombit tonë, simbolit të bashkimit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.
Lezhë, 17.01.2019 Përgatiti Rrok Lelçaj










