BASHKIA LEZHË PO PUNON ME INTENSITET PËR KULLIMIN E TOKAVE BUJQËSORE TË FERMERËVE
Sistemi i kullimit dhe vaditjes së tokave bujqësore të fërmerëve është përparësi e punës së Bashkisë Lezhë. Me mjetet dhe mundësitë që disponon, po punon me intensitet për pastrimin e kanaleve të dyta e të treta kulluese. Puna është përqëndruar në zonat e ulëta problematike si në Njësitë Administrative Dajç, Shëngjin dhe Zejmen, për të vijuar në Njësitë Administrative Shënkoll dhe Blinisht. Gjatë muajve Janar-Shkurt janë pastruar e thelluar 35 km kanale, me synim që brenda këtij viti ky proçes pune të kryhet në 120 km kanale të dyta e të treta kulluese, duke bërë të mundur përmirësimin e sistemit të kullimit në një sipërfaqeje prej 1500 ha.
Siç bën të ditur Drejtori i Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural Dodë Jaku, me interesimin e kreut të Bashkisë Pjerin Ndreu, Qeveria ka investuar këtë vit 40 milionë lekë të reja për pastrimin e kanaleve të dyta e të treta kulluese, ku nuk është ndërhyrë prej më shumë se 30 vitesh.
Administratorët e Njësive Dajç dhe Zejmen, Majlinda Miloti dhe Gjergj Malshi shprehën vlerësim për punën që po bëhet në rehabilitimin e sistemit të kullimit.
Fermerët me tokë bujqësore në këto zona, gjithnjë kanë vuajtur problemin e kullimit. Për pasojë rendimenti në të mbjellat e tyre prej vitesh ka qenë mjaft i ulët. Këtë punë që po bën Bashkia e Lezhës e vleresojnë si mjaft cilësore në sistemin e kullimit të tokave të tyre bujqësore. Bashkëpunimi i Drejtorisë së Bujqësisë me Drejtorinë Rajonale të Ujitjes e Kullimit po ndikon pozitivisht në avancimin e grafikëve të hartuar. Por problemi më serioz i ecurisë së proçesit të kullimit, mbetet urbanizimi i zonave fushore dhe disiplinimi i rrjeteve shpërndarëse të OSHE-së, telekomit dhe ujësjellësit, që pengojnë punën në sistemin e kullimit dhe të vaditjes së tokave bujqësore.
Puna që po bën bashkia për kullimin e fushave të Lezhës është investimi më i dobishëm që ndihmon fermerët në rritjen e rendimenteve në kulturat e tyre bujqësore.
Lezhë, 12.023. 2020 Përgatiti Rrok Lelçaj