BASHKIA LEZHË PRISH NË SHËNGJIN NDËRTIME PA LEJE QË PENGOJNË INVESTIMET PUBLIKE
Në përgatitjet për sezonin e ri turistik që po afron, Bashkia Lezhë ka ndërhyrë në bllokun e pallateve të lagjes së vjetër të qytetit të Shëngjinit për prishjen e ndërtimeve pa leje që pengojnë investimet publike. Policia Bashkiake dhe punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve, me mjetet që disponojnë, pasi kanë njoftuar më parë pronarët e objekteve të paligjshme, kanë filluar prishjen e tyre. Duke parë nga afër punën që po bëhet, kryetari i bashkisë Pjerin Ndreu ka bashkëbiseduar me banorët dhe pronarët e ndërtimeve pa leje, ku u ka shpalosur projektet rehabilituese në rrjetin infrastrukturor të kësaj lagjeje. Administratori i kësaj njësie Gentian Malotaj, shprehet se ky aksion do vijojë duke shembur edhe objektin e fundit që bëhet pengesë në implementimin e projekteve në infrastrukture. Pronarët e objekteve pa leje nuk kanë bërë rezistencë por kanë mirëkuptuar dhe mbështetur bashkinë në këtë aksion. Siç bën të ditur Kryeinspektori i Policisë Bashkiake Nard Palaj, në këtë lagje, do prishen mbi 30 objekte të paligjshme. Kjo është dhe faza e parë e projektit e cila do pasohet me shtrimin e rrugëve, trotuareve, gjelbërimin mjedisor, ndriçimin dhe rehabilitimin e fasadave të pallateve.
Përgatiti Rrok Lelçaj, Shëngjin, 12.02.2020