“Në Gjurmët e Lezhës” — një ditë që lidhi historinë, natyrën dhe bregdetin tonë
Më 17 korrik, Bashkia Lezhë organizoi turin promovues “Në Gjurmët e Lezhës”, në kuadër të URBACT Pioneers Accelerator. Përfaqësues të bashkisë, biznese turistike, guida dhe të ftuar ndoqën një itinerar që lidhi Memorialin e Skënderbeut, Muzeun e ri Arkeologjik, Kalanë e Lezhës, dunat e mahnitshme të Rana e Hedhun në Shëngjin dhe Lagunën e mbrojtur Kune-Vain, duke u mbyllur me një darkë me shije lokale.
Nga panorama mbresëlënëse e kalasë mbi Adriatik, te shtigjet prej druri të lagunës plot shpendë, pjesëmarrësit përjetuan nga afër pasuritë që e bëjnë Lezhën të veçantë. Aktiviteti nuk ishte thjesht një ditë promovuese, por edhe një test në terren i një itinerari model, që synon t’u ofrohet në të ardhmen vizitorëve vendas dhe të huaj. Ai konfirmoi se Lezha ka gjithçka për t’u bërë një destinacion gjithëvjetor — histori, natyrë, bregdet dhe gastronomi, të gjitha të lidhura në një ditë të vetme. Ky itinerar do të dokumentohet e promovohet më tej, si pjesë e ofertës turistike të qytetit, me synimin që Lezha të njihet gjithnjë e më shumë si destinacion i plotë, jo vetëm si qytet buzë detit. 🏛️🌊
















































