Bashkia e qytetit të Lezhës ka përkujtuar 75-vjetorin e lindjes së poetit Ndoc Gjetja, i cili u nda nga jeta 9-vite më pare. Që atëherë, Ndoc Gjetja me hijen e një apostulli nuk është parë më të zbresë përskaj trotuareve për në drejtim të librarisë, bibliotekës a shkollave të qytetit për të diskutuar me të rinjtë krijues, apo duke nderuar e përshëndetur qytetarët e vet të cilët pa e ditur as vetë e kishin pagëzuar si “Ndera e qytetit” shumë kohë para se Këshilli Bashkiak t’i akordonte këtë titull të lartë. Pas shfaqjes së dokumentarit ‘‘Ndoc Gjetja Emblemë e Njeriut dhe Poet i Ndjesive të Mëdha”, të afërm të familjes, krijues, botues, shkrimtarë, artistë, studiues, drejtues të pushtetit lokal dhe qytetarë të Lezhës, të mbledhur në biblioteken “Gjergj Fishta” kanë sjellë mbresat, kujtimet dhe vlerësimet e tyre për njeriun dhe poetin Ndoc Gjetja, një prej zërave më të spikatur në poezinë e sotme shqipe.
Kreu i Bashkisë Fran Frrokaj, iniciator i organizimit të këtij homazhi përkujtimor, e vlerësoi z.Gjetja si poet i dhimbjes njerëzore ku lezhjanët krenohen me të. Ai i bëri autopsinë poetike kohës që jetoi, përmes vargut brilant, udhërrëfyes i shkollës poetike të Lezhës.
Ndoc Gjetja veçse një poet i ndjenjës, mendimit të thellë dhe dashurisë njerëzore, pati ndikim të madh në edukimin e talenteve të shumë fushave krijuese të artit. Këto e bëjne poetin të pavdekshëm. Në programin muziko-letrar të përgatitur nga Pallati i Kulturës dhe nxënës të shkollës amerikane “Lezha Akademik Center” u interpretuan vargje nga krijimtaria poetike Gjetjane, ku siç shkruan studiuesi Petro Zheji në çdo poezi të tij, ‘‘Ndoc Gjetja diti t’i binte bukur tastierës së humanizmit duke mbetur besnik i patundur i bindjeve dhe prirjeve të veta. Këtë frymë e timbër të zërit të vet, theksuan folësit e tjerë, poeti kurrë nuk u rrek ta tradhëtonte, por si një orakull vazhdoi të shkruajë deri në fund të jetës së tij me atë sinqeritet siç u shfaq befasishëm kur ishte veçse një gjimnazist i Lezhës. Krijimtaria e z.Ndoc Gjetja nga përmasat nuk është dhe shumë voluminoze, sepse siç shprehej vete ai, poezinë nuk e kam parë kurrë si shkrimtarësi, por si shpirtësi.
Lezhë, 09.03.2019 Përgatiti Rrok Lelçaj










