Dashuria për vendlindjen, deshira për të ditur kush jemi dhe nga kemi ardhur, bëri që autori Evaristo Coli, pas një pune katër vjeçare të prezantojë para lexuesve të Lezhës librin e tij: “Gjenealogjia e fiseve Kallmet, Rraboshtë e Mërqi. Ky libër vjen në vijim të botimit të mëparshëm: “Kallmeti, fakte dhe gojëdhëna”, ku lexuesit dhe studiuesit e interesuar njihen me prejardhjen e të gjitha fiseve të fshatrave. Një libër i bazuar në të gjitha regjistrimet e popullsisë së shtetit shqiptar që nga viti 1923 e deri më sot në regjistrat e famullisë së Kallmetit dhe të Mërqisë, në regjistrimin austriak të vitit 1918 por edhe në gojëdhënat e banorëve.
Kreu i Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj e vlerësoi punën hulumtuese të autorit dhe premtoi se studime e botime të tilla gjithnjë do kenë mbështetjen e Bashkisë Lezhë. Vlerësime pozitive për librin e autorit Coli dhanë lexues e studiues të Lezhës të cilët evidentuan se studimi gjenealogjik i trevës së Kallmetit shikohet ne një këndveshtrim historik të paezauruar deri më tani. Për autorin Evaristo Coli, i cili falenderon edhe mbështetësit e tij, ndërtimi i pemëve gjenealogjike të fiseve Kallmet, Rraboshtë dhe Mërqi, ka një përbërje fisnore të konsoliduar kryesisht në vitet 1700-1800 dhe i pandikuar nga lëvizjet demografike hyrëse në 100 vitet e fundit, duke e bërë shumë interesant studimin e kësaj treve.
Kjo punë kërkimore shkencore e të riut Evaristo Coli është një model i paaplikuar dhe botuar më parë që lidhet drejtpërdrejt me njohjen dhe evidentimin shterues të fiseve të fshatrave të Lezhës, Kallmet Rraboshtë e Mërqi .
Përgatiti Rrok Lelçaj Lezhë, 15.03.2019