Në sheshin “Gjergj Kastrioti”, para Bashkisë Lezhë, punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Publike kanë nisur nga puna për riparimin e disa dëmtimeve të krijuara në levizjen e gurëve të vegjël dekorativ, thyerjen e mermereve dhe mbulesave të pusetave. Vetë kreu i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, ka orientuar për një ndërhyrje të tillë që do i japë një tjetër imazh sheshit kryesor të qytetit, që shërben si pedonale shëtitëse për qytetarët dhe ndalesë e parë për vizitorët e turistët e huaj që duan të njohin nga afër Lezhën në gjithë dimensionin e saj të pasur trashëgimor, historik, kulturor e arkeologjik. Puna vazhdon me intensitet dhe shumë shpejt po sistemohen gurët që kanë levizur. Gjithashtu po zëvendësohen mermeret e dëmtuara nga hyrja në shesh, kohë më parë, e mjeteve me tonazh të rëndë.
Ndërkohë, – i lënë në harresë prej vitesh -, bashkia bëri dhe ndriçimin e Obeliskut, kushtuar Kuvendit Historik të Lezhës që nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut bashkoi popullin shqiptar dhe me luftën e tij heroike u bë mburojë e pakapërcyeshme e truallit arbnor kundër pushtuesit osman. Ndriçimi natën i këtij Obelisku me histori të lavdishme, është një shërbim i vogël në dukje por me domethënje e rrezatim të madh për Lezhën dhe Kombin Shqiptar.
Përgatiti: Rrok Lelçaj, Lezhë, 15.10.2019