Në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve po implementohet në Lezhë projekti “Shoqëria civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”. Ky projekt zbatohet nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe financohet nga Bashkimi Europian. Është Shoqata e Integrimit të Romëve të Veriut që i ka dhënë jetë këtij projekti edhe për familjet e komunitetit rom dhe egjyptian që jetojnë në Lezhë.
Në këtë kuadër, duke patur dhe mbështetjen e Bashkisë Lezhë, po organizohen një sërë aktivitetesh që synojnë barazinë sociale, arsimimin dhe integrimin e këtyre komuniteteve. Hapja e ekzpozites me punimet e fëmijëve të komunitetit rom dhe egjyptian ka qënë njëri prej këtyre aktiviteteve. Në galerinë e arteve figurative të pallatit të kulturës ishin ekspozuar punimet më të mira që kishin si temë kryesore paqen. Skulptori Ymer Metalia evidentoi talentin e këtyre fëmijëve që shfaqet në pikturat e paraqitura. Ndërsa drejtori i Arsimit, Turizmit e Kulturës pranë Bashkisë Lezhë, z.Ardian Laçi, në emër të kryetarit Fran Frrokaj, falenderoi fëmijët për punët e realizuara dhe premtoi mbështetjen e institucionit në inkurajimin e këtyre talenteve. Kryetari i shoqatës “Integrimi i Romëve të Veriut” Man Sinani shprehu mirënjohje ndaj gjithë atyre që mendojnë e finacojnë me projekte integruese për këto komunitete. Në fund, për fëmijët që kishin realizuar punimet më të mira u dhanë dhe çmime.
Aktivitetet në Lezhë po vijojnë gjatë gjithë këtyre ditëve, të emërtuara si java e komunitetit rom dhe egjyptian.
Rrok Lelçaj Lezhë, 05.04.2018















