Besimtarët katolikë të Lezhës kanë kremtuar Ditën e Pashkëve, ngjalljen e Krishtit, si dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë. Janë fëmijët e Qendrës Kulturore “Gjergj Lacaj”, të cilët duke zënë vend para Katedrales së Shën Nikollës dhe pranë bustit të Papa Gjon Palit të dytë kanë pritur besimtarët katolikë, kalimtarë të shumtë në rrugë dhe qytetarë të Lezhës duke u servirur atyre vezë të kuqe dhe pije me lëngje frutash të përgatitura me dashuri dhe kujdes nga lokalet “Mrizi i Zanave” dhe “Stela”. Drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Marçel Lacaj, një ndër gjeneratorët kryesor të kësaj ditë-feste, me entuziazëm e dashuri citon vargjet e poetit tonë kombëtar At Gjergj Fishta: “Kemi Bajram e kemi Pashkë dhe Shqipërinë e kemi bashkë”
E veçanta e festimit të Pashkëve këtë vit ishte një karrocë e vogël shetitëse e ngarkuar me vezë dhe ushqime të tjera tradicionale, simbolikë kjo e viteve kur është ringjallur Jezu Krishti. Pronari i Mrizit të Zanave Altin Prenga e ka përgatitur enkas për këtë ditë, si dhuratë për bashkëqytetarët e tij. Lirim Torba, pronari i lokalit “Stela”, edhe ky është treguar mjaft bujar në këtë ditë të Pashkëve me fëmijët e qytetit dhe vëllezërit e besimit katolik. Një Pashkë ndryshe në sheshin më katolik të Shqipërisë. Risinë e sollën në Lezhë tek “Papa Gjon Pali i Dytë” një katolik dhe një mysliman. Ata janë të dy biznesmenë por i ka bashkuar festa dhe dëshira për t’i bërë bashkë lezhjanët pavarësisht besimeve fetare. Altin Prenga e Lirim Torba mundësuan për çdo vizitor vezë dhe ushqime të tjera që sinifikojnë ringjalljen e Krishtit. Për Altin Prengën kjo mënyrë të festuari është thjesht ripërtëritje e një tradite që ka ekzistuar, ndërsa Lirim Torba i besimit musliman thotë se festat nuk kanë përkatësi fetare. Në mbështetje të këtij aktiviteti ishte dhe Bashkia Lezhë. artistët e qendrës kulturore të fëmijëve krijuan një atmosferë të gëzueshme, kurse nënkryetarja e Bashkisë Lezhë, Alfrida Marku, përcolli urimin për festën e Pashkëve. Kjo mënyrë e të festuarit prej 1 viti është kthyer në traditë për Lezhën, duke dhënë në këtë mënyrë shembullin e harmonisë fetare që mbizotëron në këtë rajon.
Të gjithë besimtarët shkëmbyen urime me njëri-tjetrin për këtë ditë, duke u lutur për më shumë besim, dashuri, paqe, begati dhe lumturi.
Më pas në Katedralën e Shën Nikollës u celebrua mesha e shenjtë. Aty u tha para besimtarëve të shumtë që duhet besim i madh në Zotin Jezu Krisht, reflektim për të dhuruar sa më shumë dashuri për njëri-tjetrin. Dita e Pashkëve si ditë e shenjtë e ringjalljes së Krishtit, si ditë e ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe besimit tek Zoti, qoftë e lumtur për të gjithë! Flaka e ndezur simbolizon Ringjalljen e Krishtit pas sakrifikimit të tij në kryq, moment ky që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit tek Zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.
Me shëndet Pashkët !
Në këtë mënyrë, Bashkia Lezhë përcjell urimet më të sinqerta në festen e Ringjalljes së Krishtit, festës së shpresës, besimit, sakrificës dhe triumfit mbi të keqen.
Përgatiti Rrok Lelçaj 01.04.2018
Related items
Debat “Ekonomia qarkulluese per qytetet e jetueshme”
Forumi Rinor "Ekonomia Qarkulluese per Qytetet e Jetueshme"
Sot, në Lezhë, zhvilluam një forum rinor dedikuar Ekonomisë Qarkulluese dhe Qyteteve të Jetueshme, ku morën pjesë rinia nga shkollat tona. Aktiviteti u organizua nga GIZ Albania në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë dhe kishte si qëllim të promovonte ide dhe zgjidhje për zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve.
Në këtë forum patëm kënaqësinë të kishim prezent Iven Schad, Drejtues i Bashkëpunimit për Zhvillim nga Ambasada Gjermane, Znj. Tina Koenig, Menaxhere e Projektit për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytetet e Jetueshme, Znj. Erjola Duçkollari nga MTM, si dhe Znj. Greta Malaj nga AKEM.
Fokusi i takimit ishte në identifikimin e praktikave më të mira dhe inisiativave që ndihmojnë në krijimin e mjediseve urbane të jetueshme. Ky aktivitet ishte pjesë e Kalendarit të aktiviteteve për Javën Kulturore Gjermane, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në zhvillimin e qëndrueshëm.
Borxhi Zero!
Borxhi Zero!
Kryetari i Bashkisë Lezhë ka zhvilluar aktivitetin “Borxhi Zero”, një moment i rëndësishëm për qytetin tonë. Ai njoftoi se bashkia ka likuiduar të gjitha borxhet e akumuluara ndër vite, duke hapur kështu një kapitull të ri për menaxhimin financiar të bashkisë. Kjo arritje jo vetëm që e forcon stabilitetin ekonomik, por gjithashtu krijon mundësi për investime dhe projekte të reja që do të përmirësojnë jetesën e qytetarëve.
Gjatë aktivitetit, kryetari ndau vizionin e tij për të ardhmen e Lezhës, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe angazhimit për zhvillimin e qëndrueshëm. Projekti për rinovimin e infrastrukturës, mbështetje për bizneset lokale dhe krijimi i hapësirave publike do të jenë në qendër të prioritetet tona. Bashkë, mund të ndërtojmë një qytet më të fortë dhe të qëndrueshëm!