Bashkia Lezhe ka diskutuar me biznesin e madh në Shëngjin Projekt-Paketën e re Fiskale për vitin 2020. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Pashk Paloka, duke hapur këtë takim, shprehu vlerësim për bashkinë, për mënyrën e bashkëpunimit me biznesin, hartimin dhe diskutimin e kësaj pakete.
Ulja 30% e taksave dhe 10-20 % e tarifave vendore, theksoi në fjalën e tij kreu i Bashkisë Lezhë z.Pjerin Ndreu, janë premtime të mbajtura. Ndreu, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin me biznesin theksoi se toleranca do jetë zero ndaj çdo subjekti që nuk paguan taksat, ku bashkia do marrë masa shtrënguese deri në bllokimin e llogarive, pasi vërehet se 50% e bizneseve nuk paguajnë rregullisht detyrimet financiare. Kryebashkiaku Ndreu u ndal edhe tek problematikat e krijuara me lejet e ndërtimit dhe foli prerë se asnjë leje nuk do jepet në kundërshtim me planin rregullues. Për Ndreun, temë e rëndësishme e këtij diskutimi me biznesin ishte financimi dhe implementimi i shumë projekteve në Lezhë që kapin vlerën 16 milion euro, por kjo kërkon që të paguhen rregullisht taksat e të përformojnë mirë me financat.
Drejtori i taksave dhe tarifave vendore pranë Bashkisë Lezhë, Arjan Barbullushi, ekspozoi para të pranishmëve në takim gjithë treguesit e Paketës së re Fiskale që lidhet me gjithë veprimtarinë e biznesit.
Në këtë takim u vu re se ulja e taksave dhe tarifave vendore, si dhe mënyra e diskutimit të paketës është mirëpritur nga biznesi i Lezhës.
Alban Zusi theksoi se kjo mënyrë e paraqitjes së Projekt-Paketës Fiskale, është një qasje e re për ne biznesin, ç’ka na motivon se brëndshmi për të qenë korrekt në likujdimin e taksave. Edhe biznesmenë të tjerë diskutuan dhe dhanë mendimet e sugjerimet e tyre për Projekt-Paketën e re Fiskale për vitin që po vjen.
Rrok Lelçaj, Shëngjin, 28.10.2019








