Bashkia Lezhë po organizon takime në të gjitha njësitë vendore për diskutimin e projekt- paketës fiskale për vitin 2020. Një takim i tillë, i organizuar me komunitetin qytetar të Lezhës dhe grupet e interesit, kishte të bënte me ekspozimin, vjeljen e mendimeve dhe propozimeve rreth paketës së re fiskale, që pritet të miratohet nga Këshilli Bashkiak. Hartimi i nivelit të taksave dhe tarifave vendore, u tha në takim, është një domosdoshmëri bashkëpunimi me qytetarët dhe biznesin.
Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu evidentoi faktin se do ketë 30% ulje të taksave dhe 10-20 % ulje në tarifat e shërbimit, një risi që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Kështu, premtimin e dhënë po e bëjmë realitet, u shpreh z.Ndreu.
Z.Ndreu e vlerësoi këtë takim si shumë të rëndësishëm, pasi rritja e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, është e lidhur pazgjidhshmërisht me rritjen e përgjegjshmërisë qytetare dhe komunitetit të biznesit në likujdimin rregullisht të taksave e tarifave vendore. Sa më e lartë, vijoi z.Ndreu, të jetë përqindja e vjeljes dhe grumbullimit të taksave vendore, aq më shumë investime e shërbime publike do t’ju ofrohen qytetarëve. Të gjitha këto me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së jetesës për gjithë komunitetin. Ai foli për punët dhe shërbimet që po kryhen dhe u ndal te projektet me vlerë 16 milion euro që do të implementohen së shpejti në këtë bashki për ta bërë Lezhën një bashki model në shkallë vendi. Ndërkohë Drejtori i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore Arjan Barbullushi, ekspozoi treguesit e paketës së re fiskale, bazuar në rritjen e nivelit të të ardhurave dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj biznesit dhe komunitetit qytetar.
Më pas u diskutua edhe rreth zgjerimit të bazës së tatueshme, duke eleminuar bizneset informale në territorin brenda Bashkisë Lezhë. Ndreu theksoi se, ligji nuk do tolerojë askënd që përpiqet t’u fshihet detyrimeve tatimore-financiare. Qytetarë të pranishëm në këtë dëgjesë publike bënë pyetje e sugjerime rreth Paketës së re Fiskale 2020. Ky takim do të pasohet dhe nga takime të tjera me qytetarët dhe biznesin.
Lezhë, 25.10.2019, Përgatiti: Rrok Lelçaj