Në 148-vjetorin e lindjes së poetit tonë kombëtar At Gjergj Fishta, në një aktivitet të organizuar nga Bashkia Lezhë, Homeri i letrave shqipe u përkujtua në truallin ku lindi, me tema e studime shkencore, koncert artistik dhe mozaik recitimesh të përzgjedhura nga vepra e tij letrare.
Merrnin pjesë drejtues të pushtetit lokal, deputetë, studiues e botues të veprës së Fishtës, intelektualë, poetë, shkrimtarë, publicistë, artistë e krijues nga Lezha e rrethe të tjera të vendit. Ishte i pranishëm dhe Ministri i Brendshëm Sander Lleshaj.
Drejtori i Bibliotekës “Gjergj Fishta”, botuesi Frano Kulli, që e ka botuar të plotë veprën letrare të Fishtës e vlerësoi Atë si nje monument në kolanën e veprave më të mira të letërsisë shqipe, por që ende nuk ia kemi kthyer respektin për ç’ka bëri për shqiptarët.
Studiuesi i veprës së Fishtës Tonin Çobani dhe historianja Nevila Nika folën për sensibilitetin kombëtar të poetit dhe dokumentet e Tij arkivor. Në këtë takim përkujtimor, kreu i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu dhe Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhanë lajmin e shumëpritur se shumë shpejt Shtëpia e Fishtës do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë. Ndërkohë aktori i mirënjohur Mirush Kabashi recitoi vargje nga poezia “Gjuha Shqipe”. Me këtë rast, në mjediset e pallatit të kulturës u bë dhe promovimi i Muzeut Etnografik të Lezhës , i cili rihapet pas 30 vitesh.
Objektet të cilat më parë ishin të mbyllura në magazinen e biblotekës së qytetit tashmë janë të ekspozuara në muzeun e ri, që do të jetë një destinacion mjaft i rëndësishëm për turistët e shumtë të cilët vijnë në qytetin historik të Lezhës. Lezha ka rreth 841 objekte të cilat prej vitesh janë mbajtur larg syrit të vizitoreve, kjo si pasojë e mungesës së një muzeu.
Në fund të këtij aktiviteti përkujtimor, grupet artistike të pallatit të kulturës dhe nxënës shkollash dhanë koncertin e titulluar “Avokati i Shqiptarisë”, me këngë e recitime shkëputur nga krijimtaria poetike e Fishtës si; Mrizi i Zanave dhe Lahuta e Malcisë, e cilësuar si Iliada Shqiptare apo Bibla e Levruesve të Shqipes.
Lezhë, 23.10.2019, Përgatiti: Rrok Lelçaj