Kjo është ura e fshatit Mabë në Njësinë Administrative Dajç të Bashkisë Lezhë. Një urë tejet e amortizuar prej vitesh, e cila në kohë rreshjesh e prurjesh të shumta të lumit Drin ishte bërë shqetësim e pasiguri për jetën e banorëve të këtij fshati dhe fshatrave të tjerë që kalonin përmes kësaj ure. Për rikonstruksionin e kësaj ure, me të ardhurat e saj po investon Bashkia Lezhë, e cila ka financuar projektin me vlerë 6.5 milion lek të reja.
Kreu i Bashkise Fran Frrokaj e vlerëson projektin e rehabilitimit të rrjetit infrastrukturor të fshatrave si mjaft të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitet. Për këtë arsye, vijon ai, të gjitha investimet që po bëhen janë përqëndruar në rehabilitimin e urave, rrugëve e ujësjellsave. Kjo u bë e mundur, shprehet ai, pasi arritëm të dalim nga kolapsi i borxheve të trashëguara dhe zhbllokimi i lejeve të ndërtimit.
Punimet në këtë urë po ecin me ritme të përshpejtuara. Është në përfundim vendosja e pilotave me thellësi 10 metër dhe përgatitjave e trarëve të urës prej hekur betoni. Gjithçka po shkon sipas parashimit të grafikëve të përcaktuar në kontratë dhe projekti pritet të përfundojë brenda muajit mars të këtij viti, duke zgjidhur kështu një problem të mbartur prej vitesh për banorët e fshatit Mabë. Ndërkohë, kreu i Bashkisë Frrokaj ka parë nga afër dhe urën mbi lumin Gjadër në fshatin Kotërr, e cila nga amortizimi shfaqte probleme në disa elemente të sigurisë. Ai ju premtoi banorëve se bashkia, me një projekt të financuar prej saj do të nisë punimet shumë shpejt për zgjerimin dhe përforcimin edhe të kësaj ure.
Përgatiti Rrok Lelçaj Mabë, 15.02.2019