Në mjediset e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Gjergj Lacaj”, Bashkia Lezhë ka organizuar konkursin e boceteve të Gjergj Kastriotit Skenderbeut të punuara nga Skulptorë vendas e të ardhur nga diaspora, nga të cilët do të përzgjidhet modeli më i mirë per t’u realizuar në shtatore monumentale prej bronzi dhe vendosur në sheshin kryesor që mban emrin e heroit tonë kombëtar.
Kryetari i bashkise Fran Frrokaj theksoi se mbetet dëshmi e pakontestueshme lidhja historike e Gjergj Kastriotit me Lezhën dhe Besëlidhjen e saj. Këtë lidhje do e përjetësoi dhe vendosja e shtatores së tij, në pjesen veriore të qytetit, për karshi vendvarrimit të heroit, njeriut simbol të bashkimit të kombit,që na bën të ndjehemi krenar që jemi trashëgimtar Gjergj Kastriotit.
Zëvëndës kryetari i Bashkisë Enver Hafizi, njeherësh kryatr i komisionit vlerësues për bocetet e paraqitura, sqaroi procedurat e konkurimit deri në vendosjen e shtatores. Më pas skulptorët argumentuan idetë e tyre në realizimin e punimeve të paraqitura.
Në këtë konkurs u paraqitën 20 punime në skulpturë, ku modeli më i mirë, brenda 10 ditëve do të shpallet fitues nga juria. Boceti i përzgjedhur brenda pak muajsh do të kthehet në shtatore bronzi dhë me 2 mars 2019, në përkujtim të 575 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës do të vendoset në sheshin që mban emrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Rrok lelçaj Lezhë, 26.09.2018



















