Për komunitetin e Lezhës destinacioni kryesor i festimeve në Ditën e Verës ka qënë kalaja e qytetit. Të rinj e të reja, nxënës shkollash e qytetarë preferuan të udhëtonin më këmbë deri në mjediset e kalasë, ku Bashkia Lezhë në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Shkodër dhe Sofrën Shqiptare kishin marrë të gjitha masat për festimin në mënyrë sa më argëtuese të kësaj dite.
Tingujt e ritmet muzikore shoqëroheshin me këngë valle, lojra popullore e ato me top. Nderkohë biznesi vendas kishte ngritur pika të ndryshme ambulatore që ofronte për festuesit artikuj të ndryshëm ushqimor dhe një kuzhinë tradicionale. Të favorizuar nga koha e mirë festuesit kishin lënë në garderobat e tyre veshjen e dimrit për t’i zëvëndësuar me ato të pranverës.
Kreu i Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj, i pranishën në këto festime, e cilësoi këtë ditë si një ditë e vërtetë vere. Ai me këtë rast i shprehu urimet më të mira gjithë komunitetin lezhjan, duke ju uruar nje jetë më cilësore dhe me sa më pak probleme.
Drejtori i Arsimit, Turizmit, Kulturës dhe Sportit pranë bashkisë Lezhë Ardian Laçi nënvizon faktin se në festimet e kësaj dite zgjodhëm objektin e kalasë për qellimin argëtues të komunitetin si dhe për të njohur e promovuar vlerat historike që mbart ky aset i çmuar i kulturës sonë.
Në mjediset e kalasë së Lezhës. aktivitetet kulturore, artistike e sportive, të organizuara nga bashkia e Lezhës, në Ditën e Verës, vijuan deri në orët e pasditës.
Rrok Lelçaj 14.03.2018










