Në 35 shkollat e Lezhës filloi viti i ri mesimor 2018-2019. Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale të Arsimit, procesi mësimor nisi normalisht e pa probleme si në shkollat e arsimit fillor, 9-vjeçar, atij të mesëm dhe profesional.
Në shkollat e Lezhës do vijojnë mësimet këtë vit të ri shkollor afër 13.500 nxënës, ku 750 prej tyre nisin betejën e dijes, duke u ulur në bankat e klasës se parë.
Me masat e marra nga Bashkia, objektet shkollore me gjithë rrjetin e tyre infrasrukturor, në këtë fillim viti të ri përformuan kushte normale mësimi në çdo klasë, ku nxenesit e te gjitha niveleve janë paisur me tekstet mësimore.
Disa godina shkollore i janë nënshtruar procesit të rikonstruksionit dhe plotësojnë të gjitha standartet bashkëkohore për një proces mësimor normal. Njera syresh eshte shkolla e mesme e bashkuar ne Zejmen, ku Bashkia Lezhë përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, bëri të mundur rikonstruksionin e plotë të shkollës. Vlera e projektit të financuar arrin ne 45 milion lek te reja. 500 nxënësit e kësaj shkolle, shprehet drejtori Zef Therçaj, nisen vitin e ri mësimor në objektin e ri shkollor , i paisur me bazë materjale të re, me 27 klasa, kabinete e laboratore për shumë lëndë mësimore.
Në ceremoninë e fillim-vitit të ri mësimor, organizuar në gjimnazin “Hydajet Lezha”, zv.kryetari Enver Hafizi, duke përshendetur në emër të kryetarit Fran Frrokaj ju uroj nxënësve e mesuesve të Lezhës një vit sa më të mbarë shkollor.
Ai vleresoi punën e bërë në meremetimin dhe rikonstruksionin e objekteve shkollore dhe premtoi një bashkëpunim të dobishëm me institucionet arsimore me synim për të përsosur sa më shumë kushtet e mësimdhënies dhe cilësinë e të nxënit deri në shkollat me skajore te Lezhës. Z. Hafizi bëri me dije se së shpejti do të filloj puna për rikonstruksionin e shkollës së Mesme të Bashkuar “Karl Gega” Balldre, faza e dytë e ndërtimit të kopshtit “Besëlidhja” dhe palestrës së shkollës 9-vjeçare “Nënë Tereza”, mundësuar me investimin e përbashkët të Bashkisë Lezhë dhe Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Njeherësh, me investimin e Bashkisë Lezhë, pritet të fillojë puna edhe për rikonstruksionin e kopshtit të lagjes “Gurra”.
Në këtë mënyrë, theksoi Hafizi, Bashkia me politikat e saj arsimore do bëjë të pamundurën për të ndikuar në përmirësimin e kushteve në shkolla e kopshte me synim rritjen e pervitëshme të cilësisë së procesit mesimor.
Përshëndetën në këtë cermoni të fillim vitit të ri shkollor, prefekti i Lezhës Gjergj Prendi dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Bardhok Pulaj të cilët duke uruar nxënësit e mesuesit për një vit sa më të suksesshëm mesimor, vunë thkesin tek shpërndarja e teksteve falas dhe tek rëndësia që ka sot shkolla dhe dija, në përmbushjen e misionit të formimit arsimor e kulturor të shoqësrisë sonë.
Në ditën e parë të fillim vitit të ri shkollor, procesi mësimor vijoi normalisht në të gjitha shkollat e Lezhës.
Lezhë, 17.09.2018 Përgatiti Rrok Lelçaj