Famullia e Blinishtit Lezhë dhe Dioqeza e Sapes kanë përkujtuar në Fshatin Piraj 25 vjetorin e ardhjes në këtë Famulli të “Motrave Punëtore të Vogla të Zemrave të Shenjta”, të cilat punojnë me përkushtim për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe të sëmurët. Me financimin e e Konferencës Ipeshkvnore Italiane, këtu në Piraj prej afro 20-vitesh hapën dhe Qendrën e Fizioterapisë, e para e këtij lloji në shkallë vendi, e cila u vendos në shërbim të rehabilitimit shëndetësor të njerëzve me aftësi të kufizuar.
Me këtë rast, në nderim të këtyre motrave në kishën e fshatit u celebrua mesha e shenjtë. Famullitari i Blinishtit Dom Enzo dhe Ipeshkvi i Sapes Monsinjor Simon Kulli, vlerësuan kontributin e motrave punëtore. Edhe arqipeshkvi i metropolit në Shkodër-Pult Monsinjor Anxhelo Masafra u shpreh se motrat e Fshatit Piraj po bëjnë mrekulli duke shëruar e shpëtuar shumë jetë njerëzish. Në këtë veprimtari kishtare ishte e pranishme dhe Zv/Kryetarja e Bashkisë Lezhë Oliana Moriseni.
Jane qindra të sëmurë të moshave të ndryshme, me probleme traumatike e paraliza farciale që kanë gjetur shërim të plotë në këtë qendër të fizioterapisë. Mesatarisht çdo ditë këtu trajtohen 15-20 të sëmurë që vijnë jo vetëm nga Lezha por edhe nga rrethe të tjera të vendit. Në mjediset e saj janë futur pajisje të reja që plotësojnë të gjitha standartet e një qendre të specializuar bashkëkohore. Rehabilitimi fizik i personave me aftësi të kufizuar kryhet nga një staf i specializuar mjekësor dhe me eksperiencë, që drejtohet nga fizioterapistja moter Anamaria Mokaldi. Fjalët e pacientëve të trajtuar këtu janë shprehje të mirënjohjes së thellë për motrat “Zemrat e Shenjta” dhe gjithë stafin e qendrës së fizioterapisë të Fshatit Piraj.
Piraj, Tetor 2019.
Përgatiti: Rrok Lelçaj.