Ndarja e Çmimeve “At’ Gjergj Fishta” edicioni 2026.
Në kuadër të 155-vjetorit të lindjes , At’ Gjergj Fishta, në qytetin e Lezhës u zhvillua ceremonia e ndarjes së Çmimeve “At’ Gjergj Fishta”, edicioni 2026.Në këtë aktivitet të rëndësishëm kulturor, i cili mblodhi personalitete të artit, kulturës dhe letërsisë, ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, z.Pjerin Ndreu duke u bërë pjesë e një veprimtarie që synon të nderojë trashëgiminë e një prej figurave më të shquara të kulturës kombëtare dhe të promovojë krijimtarinë bashkëkohore shqiptare.
Mes 83 veprave të paraqitura në konkurrim, juria e përbërë nga Preç Zogaj, Suela Mino dhe Gani Mehmetaj përzgjodhi fituesit në tri kategori:
Proza më e mirë: Flutura Açka, me romanin “1914”, botuar nga MediaPrint.
Përkthimi më i mirë: Agron Tufa, me veprën “Gropa e themelit”, botuar nga Botime Dukagjin.
Vëllimi poetik më i mirë: Rudolf Marku, me librin “Kthimet”, botuar nga Botime Onufri.
Çmimet “At’ Gjergj Fishta” përfaqësojnë një vlerësim të veçantë për autorët dhe krijimtarinë letrare, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e librit, gjuhës shqipe dhe kontributit të shkrimtarëve në pasurimin e kulturës sonë kombëtare.Për Lezhën, qytetin që lidhet ngushtë me emrin, jetën dhe veprën e At’ Gjergj Fishtës, ky aktivitet përbën një moment të rëndësishëm në kalendarin kulturor, duke forcuar traditën e vlerësimit të krijimtarisë dhe promovimit të vlerave që përcillen brez pas brezi.Lezha vijon të mbajë gjallë trashëgiminë e Fishtës, duke i dhënë letërsisë, kulturës dhe artit vendin që meritojnë në jetën e qytetit.





