Është përkujtuar 75 vjetori i Çlirimit të Lezhës. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm drejtues të pushtetit lokal, veteranë, pjesëtarë e të afërm të familjeve të të rënëve për liri dhe qytetarë të Lezhës, të cilët vendosën kurora me lule dhe bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve. Më pas, të pranishmit duke parakaluar para varrezave nderuan dëshmorët e Lezhës të cilët dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Kreu i Komitetit të Veteranëve të Lezhës Deli Bisha, duke evokuar heroizmin e dëshmorëve, e ka vlerësuar Ditën e Çlirimit të Lezhës si një ngjarje me rendësi historike. Ndërsa kryetari i Bashkisë Lezhë z.Pjerin Ndreu duke kujtuar dhe nderuar dëshmorët që luftuan për lirinë dhe flamurin e kombit tonë, theksoi se të gjithë ne duhet t’u jemi mirënjohës atyre dhe të punojmë sa më shumë me synimin që Lezha dhe Shqipëria të zhvillohen.
Antifashizmi shqiptar, u shpreh në fjalën e tij nënkryetari i Komitetit të Veteranëve të Lezhës Ded Rrahmani, do të mbetet një faqe e ndritur e historisë së poullit tonë dhe ne u jemi mirënjohës partizanëve për luftën e drejtë që bënë për Çlirimin e Lezhës dhe gjithë vendit.
Përshëndetën në këtë ceremoni përkujtimore të pervjetorit të 75-të të Çlirimit të Lezhës edhe veteranë të luftës, pjesëtarë e të afërm të familjeve të dëshmorëve dhe të ftuar nga rrethet e tjera të vendit. Bashkia e Lezhës në nderim dhe përkujtim të kësaj Dite, në Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Gjergj Lacaj” kishte organizuar dhe akivitete të tjera kulturore-artistike. Në mjediset e kësaj qendre u hap dhe ekspozita “Nëntori i Lirise”, ku fëmijë të shkollave 9-vjeçare të Lezhës kishin ekspozuar punimet e tyre më të mira. Piktori Pashk Pervathi, shpërndau për piktorët e vegjël çmime inkurajuese. Më pas vijoi koncerti artistik i përgatitur me numra të zgjedhur, interpretuar nga nxënësit e shkollave të Lezhës.
Lezhë, 20.11.2019, Përgatiti: Rrok Lelçaj