Edhe territori i Bashkisë Lezhë u prek nga tërmeti i 26 Nëntorit, pasojat e të cilit bënë që qeveria të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Lëkundjet e fuqishme krijuan stres dhe panik tek qytetarët. Nuk pati humbje në jetë njerëzore por dëmtime në pallate dhe shtëpi private. Në pallatet dhe banesat me problem, banorët u evakuan menjëherë në mjediset e Gjimnazit “Hydajet Lezha” dhe në hotele në Shëngjin. Në këto mjedise aktualisht janë strehuar 95 familje. Një pallat i lagjes “Skënderbeg”, i banuar nga 16 familje të Komunitetit Rom e Egjyptian, është bërë i pabanueshëm. Në këtë pallat termeti ka krijuar të çara në muret e jashtme dhe ato të brendshme, duke u bërë rrezik për jetën e familjarëve. Bashkia Lezhë ka ndërhyrë menjëherë duke i sistemuar përkohësisht në palestren e gjimnazit të qytetit. Aktualisht, në Lezhë asnjë familje nuk është e akomoduar në çadër. Kreu i Bashkisë Pjerin Ndreu, i cili ndjek nga afër situatën e krijuar, në takimin e tij të radhës me këto familje, u premtoi atyre një zgjidhje të përhershme.
Vetë familjarët e këtij pallati kanë shprehur vlerësim për kujdesin e treguar ndaj tyre, dhe e mbajnë gjallë shpresën se në një të ardhme të afërt do të strehohen në shtëpitë e tyre të reja.
Ndërkohë, Bashkia e Lezhës ka ngritur 5 grupe pune me inxhinierë ndërtimi, urbanistë dhe arkitektë që po verifikojnë nga afër terrenin, dëmet e shkaktuara nga termeti në çdo pallat e shtëpi, duke bërë klasifikimin se cilat banesa janë të banueshme, cilat të pabanueshme, ku duhet ndërhyrje me meremetime të pjesshme dhe ku kërkohet rikonstruksion. Kreu i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, duke zbritur vetë në terren, duke parë nga afër dëmet dhe duke takuar qytetarët, jep një panoramim të qartë të mënyrës së organizimit të punëve, me synim për ta tejkaluar sa më shpejt situatën e krijuar.
Ndërkohë, inxhinieri i bashkisë Pjetër Gjoni, që drejton njërin prej këtyre grupeve, bën të ditur mënyrën se si po veprohet konkretisht në terren. Banorët e shtëpive që kanë pësuar dëmtime po vlerësojnë punën që bëjnë në terren grupet e Bashkisë Lezhë. Për të eleminuar pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit, Bashkia Lezhë me gjithë strukturat e saj po punon pa ndërprerje çdo ditë e çdo natë në strehimin, trajtimin e familjeve dhe normalizimin në përgjithësi të situates së krijuar.
Përgatiti: Rrok LELÇAJ, Lezhë, 02.12.2019