Kushtet akomoduese për këta banorë plotësojnë standartet e një jetese normale. Siç bën të ditur menaxheri i Resortit Turistik “Rafaelo” Bledi Shima, në dispozicion të këtyre familjeve janë vënë 250 dhoma hoteli dhe po bëhen gati dhe 150 dhoma të tjera pasi numri i familjeve që kërkojnë strehim sa vjen dhe rritet.
Ashtu si për turistët dhe pushuesit, dhomat e fjetjes ofrojnë të gjitha kushtet e duhura dhe janë vënë në dispozicion të banorëve të prekur nga termeti sipas numrit të frymëve për çdo familje. Ndërkohë, restorantet me kuzhinat e tyre dhe punonjësit që shërbejnë këtu, ofrojnë për familjarët në mëngjes, drekë dhe darkë, një menu të pasur me ushqime cilësore.
Të strehuarit në këtë resort turistik, tani ndihen më të qetësuar dhe shprehin vlerësim për interesimin e pronarëve të hoteleve, pushtetit qendror e lokal dhe kushtet e trajtimit të tyre.
Qendra shëndetësore funksionon 24 ore pa ndërprerje, duke ofruar falas ilaçet dhe çdo shërbim tjetër mjekësor. Për fëmijët e këtyre banorëve janë caktuar psikologë dhe janë hapur qendra zbavitëse me lodra dhe lojra të ndryshme, me synim që ata të mos kujtojnë atë që përjetuan mëngjesin e 26 Nëntorit, por t’i rikthehen një jete normale, të shëndetshme dhe pa strese. Të njëjtën gje kanë bërë edhe Hotelet “Frojdi” dhe “Ermiri”, janë treguar të gatshëm të hapin dyert për banorët e Thumanës, Laçit dhe Lezhës që u dëmtuan nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Rrok LELCAJ, Shëngjin, 03.12.2019