Biblioteka ”Gjergj Fishta” Lezhë në bashkëpunim me Klubin Letrar ”Ndoc Gjetja”, organizuan promovimin e Romanit ”Anjeza nuk u zgjua”, të shkrimtarit Preç Zogaj.
Një histori dashurie që nis në qytetin e Lezhës në kohën e komunizmit është sfondi mbi të cilin Preç Zogaj ka vënë romanin e tij të ri, “Anjeza nuk u zgjua”. Një vajzë e bukur, një djalë i ndjeshëm- Anjeza dhe Davidi, vihen përballë sfidash dhe situatash të kuptueshme e të frikshme për kohën kur ndodhin.
Folësit e vlerësuan romanin e Zogajt, i cili tregon histori dashurie e dhimbjeje, përpjekje për mbijetesë në kohë të turbullta ku viktima është njëherësh edhe viktimë edhe e gjykuar. Kreu i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, theksoi se askush nuk duhet të vlerësohet nga bindja politike por nga kontributi që jep në jetën publike. Ndaj, krijuesi Preç Zogaj është një vlerë për Lezhën dhe letërsinë shqiptare, me të cilin ne mburremi.
Për autorin e Romanit “Anjeza nuk u zgjua”, shtysë kryesore ka qenë një shqetësim që lidhet me statusin e femrës.
Takimi në Lezhë, me lexues e krijues të këtij qyteti, ishte një bisedë e dytë për veprën e re të Zogajt, pas asaj që u bë në Tiranë.
Përgatiti: Rrok LELÇAJ, Lezhë, 21.12.2019