Për dy netë me radhë është zhvilluar në Lezhë Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë, edicioni i 10-të, organizuar nga Ministria e Kulturës, Bashkia Lezhë dhe Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike.
Në natën e parë u ngjitën në skenë grupet folklorike të Hasit, Shkodres, Gramshit, Pukës, Kurbinit, Kamzës dhe grupi folklorik Drenas Kosovë. Timbrika origjinale e melosit të folkut burimor ishte karakteristikë dalluese për çdo grup konkurues. Ndërsa në natën e dytë të këtij festivali konkuruan grupet folklorike: Vau i Dejes, Malësi e Madhe, Mallakstër, Mirditë, Fushë – Arrës Mat, Lezhë dhe grupi folklorik Gostivar. Ndërkohë në përfundim të konkurimit, para se juria e festivalit të shpërndante çmimet, u ngjit në skenë për të përshëndetur pjesëmarrësit në këtë festival ansambli artistik “Visaret e Kerrabës” Tiranë.
Organizimi i këtij festivali është nje aset i rëndësishëm kombëtar, theksoi kryetari i jurise Roland Çeno, sepse vijnë variante të ndryshme të krijimeve folklorike në interpretime të reja, që ruajnë gjithnjë të freskët kulturën identitare të folkut tonë burimor.
Zevëndëskryetarja e Bashkisë Lezhë Alfrida Marku, duke ndjekur nga afër këtë veprimtari folklorike, ka vlerësuar gjithë grupet pjesëmarrëse për nivelin e lartë artistik të interpretimit dhe në veçanti ka evidentuar mbështetjen e talenteve të reja dhe gjallërimin e jetës kulturore artistike në Lezhë, që për një kohë jo të shkurtër ka qenë zbehur. Përshëndeti grupet folklorike pjesëmarrëse dhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, Rezarta Kokonozi.
Në fund, juria shpërndau çmimet për instrumentistët dhe grupet më të mira të këtij festivali. Çmimi “Ndue Shyti” iu dha grupit folklorik të Gostivarit; çmimi “Dervish Shaqja” rapsodeve të Hasit; çmimi “Gjok Nonaj” orkestrës së Matit; çmimi “special” grupit folklorik të Lezhës; çmimi i karrierës iu dhea Gjergj Arianitit Mallakaster; dhe çmimi ‘instrumentisti më i mirë’ Orkestrës së Mirditës dhe instrumentistit në çifteli Ervin Gega.
Përgatiti Rrok Lelçaj Lezhë, 26.10.2018













