Akademia e futbollit “Brian’s” në Lezhë, e vetmja e këtij lloji në shkallë vendi, që drejtohet nga ish-futbollisti i Besëlidhjes Gjergj Filipi, sa vjen dhe zgjerohet, duke rritur interesin e qindra fëmijëve e të rinjëve që janë të apasionuar pas sportit të bukur të futbollit. Fushat e këtij sporti në Gajush janë kthyer në vatra të profilizuara të përgatitjes së moshave nga 5 deri në 19 vjeç. Kushtet bashkëkohore që ofron akademia “Brian’s”, kanë mundësuar masivizimin e futbollit në Lezhë që në moshat e vogla, duke krijuar mundësi në evidentimin, mbështetjen e promovimin e talenteve. Aktualisht këtu stërviten mbi 250 fëmijë e të rinj që pëlqejnë këtë sport dhe aspirojnë të bëhen futbollistë. Ata vijnë jo vetëm nga Lezha dhe periferitë e saj por edhe nga qytete e rrethe të tjera të rajonit verior. Rezultatet e Akademisë se Futbollit “Brain’s” janë shumë inkurajuese dhe premtuese në të ardhmen e afërt. Në kampionatin kombëtar të superliges shqiptare për moshën U17, ekipi “Brian’s” i Lezhës fitoi ndaj ekipit të Dinamos U17 në Tiranë me rezultatin e pastër 5-1. Për të parë më nga afër punën që bëhet këtu bëri një vizitë në këtë akademi ish-kapiteni dhe futbollisti i kombëtares Lorik Cana. Kjo vizitë përkoi me 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të futbollistit të talentuar lezhjan, Brian Gjergj Filipi, që ëndrra e tij u ndërpre në mes. Emrin e Brianit mban sot stadiumi i Besëlidhjes dhe akademia e futbollit. Babai i Brianit, Gjergji, që drejton akademinë, e njohu Canaj me rezultatet, problemet dhe vështirësitë që hasën në rrugëtimin e këtij sporti. Lorik Canaj vlerësoi rezultatet e arritura duke vënë theksin se aktivizimi për futbollin duhet të nisë që në moshat e vogla. Ndërkohë, në shkëmbimin e ideve dhe eksperiencave më të mira, kreu i Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu, ofroi mbështetje në promovimin e modeleve pozitive dhe të njerëzve të talentuar që bëjnë diferencën në futboll dhe çdo sport tjetër. Më pas ish-futbollisti ynë i kombëtares Lorik Canaj, i dhuroi Akademisë së Futbollit “Brian’s” bluzën e tij të sportit që mban numrin 5. Në fund, të pranishmit në këtë takim vizituan mjediset e akademisë së futbollit “Brian’s” Lezhë.
Përgatiti Rrok Lelçaj, Lezhë, 18.09.2019
![](https://lezha.gov.al/wp-content/uploads/2021/04/akdemia_e_futbollit_brians_lezhe_6_copy_1_5328.gif)
![](https://lezha.gov.al/wp-content/uploads/2021/04/akdemia_e_futbollit_brians_lezhe_3_copy_1_5326.gif)
![](https://lezha.gov.al/wp-content/uploads/2021/04/akdemia_e_futbollit_brians_lezhe_5_copy_1_5327.gif)
![](https://lezha.gov.al/wp-content/uploads/2021/04/akdemia_e_futbollit_brians_lezhe_4_copy_1_5330.gif)
![](https://lezha.gov.al/wp-content/uploads/2021/04/akdemia_e_futbollit_brians_lezhe_2_copy_1_5329.gif)
![](https://lezha.gov.al/wp-content/uploads/2021/04/akdemia_e_futbollit_brians_lezhe_1_copy_1_5325.gif)
![](https://lezha.gov.al/wp-content/uploads/2021/04/akdemia_e_futbollit_brians_lezhe_7_5322.gif)
![](https://lezha.gov.al/wp-content/uploads/2021/04/akdemia_e_futbollit_brians_lezhe_9_5324.gif)