Rritja e cilësisë së shërbimeve ndaj komunitetit qytetar është përparësi e punës së Bashkisë Lezhë. Shumë shërbime po levizin pozitivisht në këtë drejtim. Prej ditësh me interesimin e drejtpërdrejtë të kreut të bashkisë Pjerin Ndreum, ka nisur puna për pastrimin e territorit në gjithë njësitë administrative.
Është filluar me Shëngjinin, Lezhën dhe ky proçes po vijon në territorin e çdo njësie. Krahas punonjësve të shërbimeve publike, të sipërmarrjeve të pastrimit e administratës së bashkisë, këtij aksioni i janë bashkangjitur edhe nxënës shkollash e punonjës të institucioneve të tjera. Mjedisi në Lezhë tani ka tjetër pamje.
Ndërkohë, në afërsi të tregut të qytetit të Lezhës, është ndërhyrë edhe në pastrimin e kolektorit kryesor të ujërave, i cili duke u kthyer në një vatër mbeturinash të hedhura aty pa kriter, ishte bërë shqetësim për banorët e lagjeve aty pranë.
Ky kolektor i ujërave që vjen nga Grykë Manatia, tashmë i pastruar nga hedhurinat, do eleminojë dhe fenomenin përmbytje në këtë zonë, pasi prurjet e Përroit të Manatisë do derdhen pa pengesa në lumin Drin.
Punonjësit e shërbimeve publike pranë bashkisë, në orët e vona të natës, kur ka shfryrje të trafikut, po punojnë për vijëzimet e bardha në rrugët e qytetit, me synim për t’u dhënë përparësi lëvizjeve të qytetarëve, dhe për të kufizuar shpejtësinë e disiplinuar në qarkullimin e autoveturave. Ky proçes do vijojë në qytetin e Shëngjinit dhe rrugët e tjera të Bashkisë Lezhë.
Pranë Obeliskut të Kuvendit të Lezhës punonjësit e bashkisë ndërhyne duke vënë në punë këtë shatervan, i cili që para 5 vitesh kur u ndërtua bashkë me sheshin kryesor të qytetit, nuk punoi asnjëherë. Një tjetër proçes pune që po kryhet nga punonjësit e sipërmarrjes së gjelbërimit, është pastrimi, sistemi e zgjerimi i lulishteve dhe mjediseve të tjera të gjelbëruara, me synim për t’i kthyer në vende atraktive pushimi e çlodhjeje për banorët. Këto, janë punë e shërbime të Bashkisë Lezhë, që po sjellin një imazh pozitiv tek qytetarët, të cilët meritojnë një jetë më cilësore.
Përgatiti Rrok Lelçaj, Lezhë, 18.09.2019