Për parandalimin e fenomenit përmbytje në ditë me reshje, Drejtoria e Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Lezhë dhe Ujësjellës-Kanalizime, vazhdojnë punën me intensitet për zëvendësimin dhe zhbllokimin e tubacioneve të kanalizimit të ujërave në rrugët e qytetit. Rrjeti i tubacioneve rezulton i bllokuar dhe jashtë funksionit në një pjesë të madhe të të gjithë segmenteve rrugore, duke shkaktuar përmbytje e vershim ujërash në lagjet e qytetit dhe mjediset e tjera publike. Ka puseta e segmente të bllokuara 100% që po zhbllokohen e zëvendësohen me puseta e tubacione të reja. Sipas drejtuesve të bashkisë, kjo punë duhet të ishte kryer prej kohësh me synim që të eleminoheshin bllokimet në këtë arterje problematike që përmbyste një pjesë të qytetit, edhe në rast reshjesh me intensitet mesatar.
Punonjësit e shërbimeve publike dhe të ujësjellës-kanalizimeve po vazhdojnë punën pa ndërprerje deri në zhbllokimin dhe zëvendësimin e çdo tubacioni e pusete të dëmtuar. Kjo ndërhyrje emergjente po bëhet për të lehtësuar sa të jetë e mundur fenomenin përmbytje në qytet, por zgjidhja përfundimtare do të vijë shumë shpejt me zbatimin e projektit që po hartohet me financimin e Bankës Gjermane KFW, i cili do i jape fund njëherë e mirë përmbytjeve në Lezhë.
Lezhë, 27.09.2019, Përgatiti Rrok Lelçaj