Bashkia Lezhë ia ka dalë me sukses që të ndryshojë kushtet e ngrohjes në kopshte, çerdhe e shkolla, duke garantuar nje proçes mësimor korrekt.
Vënia në funksionim e kaldajave, pajisja me soba, furnizimi me lëndë drusore, kanë sjellë përmirësim të dukshëm të situatës së akumuluar ndër vite. Në të gjitha shkollat e njësive administrative punohet njëherësh për transportin dhe furnizimin me lëndë drusore, me synim për të krijuar kushte normale ngrohjeje gjatë periudhës së dimrit.
Këto pamje të furnizimit me lëndë drusore i xhiruam në shkollën 9-vjeçare Ishull-Shengjin të Njësisë Administrative Shëngjin. I njëjti proçes po vijon dhe në furnizimin e çerdheve, kopshteve dhe gjithë shkollave të tjera të arsimit të mesëm dhe 9-vjeçar.
Drejtori i Arsimit, Kulturës e Turizmit pranë Bashkisë Lezhë, Ardian Laçi , bën të ditur se pa ngrohje nuk do të mbetet asnjë shkollë, pasi çdo investim i kryer në objektet shkollore është shoqëruar me vënie në funksionim të sistemit të kaldajave dhe garantimit të ngrohjes alternative përmes sigurimit të sobave dhe zhbllokimit të oxhaçeve.
Sipas ligjit, për garantimin e lëndës drusore, Agjensia e Administrimit të Pyjeve pranë Bashkisë Lezhë, po vijon me pastrimin dhe trajtimin sanitar të sipërfaqeve pyjore në territorin që administron për të garantuar përmirësimin e tyre dhe ngrohjen për nxënësit e të gjitha shkollave.
Rrok Lelçaj, Lezhë, 23.11.2018