Ka përfunduar rikonstruksioni i urës se vjetër mbi lumin Drin, ku Bashkia Lezhë me fondet e veta bëri të mundur që në afatin kohor të 20-ditëve ta rikthejë atë në shërbim të qytetarëve.
Kjo urë prej kohësh ishte kthyer në një shqetësim serioz për banorët e lagjeve aty pranë sepse zhurmat e autoveturave që lëviznin mbi llamarina, shkaktonin ndotje akustike të nivelit të lartë. Duke parë nga afër cilësinë e punimeve, në rihapjen e urës ka qenë i pranishëm dhe kreu i Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj, i cili duke patur në vëmendje ankesat e qytetarëve urdhëroi Drejtorinë e Shërbimeve Publike për të ndërhyrë në rehabilitimin e kësaj ure. Vetë qytetarët shprehen të kënaqur për cilësinë e punimeve që kanë eleminuar çdo zhurmë.
Drejtori i Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Lezhë, Ndue Lushi, bën të ditur se pjesa e urës ku kalojnë qytetarët, mbetet sërish me llamarinë, ndërsa pjesa kryesore ku lëvizin autoveturat është shtruar me dërrasë të stazhinuar pishe, të një cilësie të lartë dhe rezistente ndaj lagështirës. Ndërkohë, është bërë dhe ndriçimi i urës në gjithë gjatësinë e saj.
Kjo urë e vënë në efiçensë nga Bashkia Lezhë do të ndihmojë në lëvizjen e qytetarëve të Lezhës dhe përmirësimin e trafikut të autoveturave gjatë sezonit turistik.
Përgatiti Rrok Lelçaj 19.11.2018